DHUNA NË SHKOLLË…

gjimnaziii sezai surroi bujnaoc

Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, kohëve të fundit, është bërë një poligon eksperimental i dukurive negative.

Këto dukuri të shëmtuara e arritën kulmin, kur në afërsi të shkollës, gjatë orëve të pasdites plasi një sherr banal mes nxënësve, i cili rezultoi edhe me përdorimin e armëve të ftohta.

Burimet e Jehona Press, bëjnë të ditur se njëri nga të plagosurit rëndë S.I. nxënës i vitit të III-të, është dërguar me urgjencë në spitalin e Nishit, për kontrollime më të specializuara. Gjithashtu, të njëjtat burime konfirmojnë se në këtë konflikt është përfshirë edhe një nxënës, i përjashtuar nga shkolla dhe të tjerë.

Për të ndriçuar rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtarët e Policisë së Bujanocit, duke i bllokuar hyrje-daljet rreth objektit të Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.

Dukuritë negative, të cilat po e shoqërojnë, kohëve të fundit, këtë vatër të mesme arsimore, u gjenden edhe në thumb të kritikës nga TV “Spektri”, i cili në kronikën e lajmeve qendrore, nuk la pa përmendur edhe dukurinë e shpërndarjes së drogës në shkollë dhe kafiteritë përreth saj.

Një konflikt jo i përmasave të Dudës në Kosovë, ndodhi edhe në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku një vajzë e rrahu fort një bashkëmoshatare të saj pa “bigarihak”.

Jo fort moti, po në këtë shkollë u bë hit një këngë e trendit më të popullarizuar në internet “Harlem Shake”, e cila ka prekur nxënësit e një klase, duke i thyer rregullat e sjelljes së tyre. “Në një video të shpërndarë nga nxënësit e klasës IV-2 në rrjetin social facebook, shihen disa nxënës të kësaj klase duke kërcyer mbi banka, apo ngritur ato në ajër”, raportonte Titulli.

Po kur t’ia shtojmë këtyre dukurive negative edhe politizimin e skajshëm të Shkollës së Mesme, “Sezai Surroi”, në qytetin e Bujanocit, del se në këtë vatër arsimore duhet të bëhen reformat ë thella, duke filluar nga drejtoria e deri te personeli arsimor, i cili në këtë shkollë vjen me rrugë jo ligjore, pa konkurs e kriteriume.

Po u hapën dosjet e atyre, që kanë zënë vende punë në këtë institucion shkollor, del se ata kanë ardhur me lidhje partiake, familjare e farefisnore: babë e biri, dajë e nip, burrë e grua e kështu me radhë, si në “Big Brother”.

Derisa nuk ndërpriten këto procese negative, në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, zor se do të ketë përparim arsimor e në këtë rrugë, për fat të keq, nuk do të pushoj zvogëlimi i numrit të nxënësve dhe paraleleve, njofton Jehona PRESS.

You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Reply

Powered by WordPress and WordPress Themes, thanks to Live Jasmin